Ishte ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ai i cili bëri të ditur se dy qytetarë të nacionalitetit serb kishin mbetur të plagosur mbrëmjen e së enjtes, në Mitrovicën e Veriut.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
“Rr. ‘Lola Ribar’, Mitrovicë Veri, 02.03.2023 – 17:00. Raportohet se viktimat meshkuj kosovarë janë sulmuar me thikë nga i dyshuari. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës Veri, dhe, sipas mjekut përgjegjës, janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raport.
Ndër të tjera, lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit.
Sveçla kishte deklaruar se tashmë ekzistojnë dyshime të bazuara se dorasi me nacionalitet serb, është edhe pjesëtar i strukturave paralele kriminale të Serbisë.
“Njësitet relevante policore tashmë kanë dyshime të bazuara mbi dorasin e këtij akti, i cili është po ashtu i nacionalitetit serb, pjesëtarë i strukturave paralele kriminale të Serbisë. Njësitet policore do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë në mënyrë që dorasi apo dorasit e këtij sulmi të sillen sa më parë para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e tij.
Therje në veri të Mitrovicës, Sveçla: Dorasi pjesëtar i strukturave kriminale të Serbisë
Rasti vazhdon të hetohet.