Policia e Kosovës ka njoftuar se këtë të premte, në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, magjistralja Mitrovicë-Jarinje, e kanë ndaluar një autobus me vozitës mashkull kosovar serb, i cili ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës.
Gjatë kontrollimit, policia ka gjetur pajisje elektronike, të cilat dyshohen se janë kontrabanduar nga Serbia
“Gjatë kontrollimit është vërejtur se në bagazhet e autobusit ka një sasi të madhe të mallit që dyshohet i kontrabanduar nga Serbia (laptop, monitor, pjesë kompjuterike, telefona, pjesë të telefonave mobilë, pjesë të automjeteve)”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, për rrethanat e rastit është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti “kontrabandim me mall’.
I dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme ligjore, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.