Ministria e Shëndetësisë (MSh) u ka bërë thirrje prindërve që ta respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit.
“Me qëllim të informimit të popullatës dhe parandalimit të rasteve të Fruthit në vendin tonë, duke marrë parasysh që raste të kësaj sëmundjeje së fundi janë regjistruar në shtete të ndryshme të botës, por dhe në vendet e rajonit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës u bën thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër kësaj sëmundjeje”, thuhet në njoftimin e Msh-së.
Sipas MSh-së, ani pse raste të kësaj sëmundjeje së fundmi janë regjistruar në shumë shtete të botës, në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar aktualisht.
Tutje, MSh ka bërë të ditur se vaksinimi i rregullt bëhet çdo ditë në njësitë e vaksinimit në çdo komunë.
MSh-ja ka shkruar për simptomat e fruthit, për komplikimet dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit, spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.
Simptomat
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë.
Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh, paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.
Komplikimet
Komplikimet janë më të shpeshta te fëmijët në moshën nën 5 vjet ose te të rriturit mbi 20 vjet.
Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.
Kush është i rrezikuar?
Fëmijët e vegjël të pavaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit.
Trajtimi
Nuk ekziston trajtim i posaçëm antiviral kundër virusit të fruthit. Prandaj, mbrojtja më e mirë është vaksinimi që në fëmijëri kundër kësaj sëmundjeje.
Parandalimi
Vaksina kundër fruthit është mënyrë më e mirë për parandalim dhe kjo vaksinë është e sigurt, efikase dhe në vendin tonë jepet falas. Përdoret tashmë e 50 vjet.
Vaksinimi në Kosovë kundër fruthit, fillon te fëmijët në momentin që fëmija mbush 12 muaj dhe jepet si dozë e kombinuar me vaksinën kundër Shytave (Parotitit) dhe Rubellës.
Që të sigurohet imunitet dhe që të parandalohet paraqitja e epidemive, rekomandohet marrja e dy dozave të vaksinës. Doza e dytë e kësaj vaksine (rivaksinimi) të kombinuar jepet te fëmijët e moshës 6-7 vjeçe.
Vaksina ka efekt të lartë që shkon deri në mbi 95% mbrojtje për të vaksinuarit.