Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.
Në takim me delegacionin e lartë amerikan, e para e vendit ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.
Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, Osmani ka folur për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit.
Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.
Tutje, në takim u bisedua edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me ShBA-në, të bazuar në vlera të përbashkëta.
Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarisht është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
POD është një nismë që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit më të thellë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve me rëndësi strategjike, si dhe sektorit privat.
Kjo nismë eksploron një gamë të gjerë partneritetesh të mundshme për të bashkëpunuar në projekte specifike që avancojnë prioritetet e politikave të përbashkëta.
Për këtë takim ka dhënë detaje ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se sektori amerikan mund të luajë një rol kritik për të përshpejtuar ndarjen e burimeve të energjisë në Ballkanin Perëndimor.