Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, është mirëpritur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me të cilin, ka diskutuar për ndeshjen e futbollit në mes FSK-së dhe Ushtrisë së Shqipërisë për nder të Epopesë së UÇK-së.
Ademi potencoi se FFK do të jetë mbështetëse e këtij eventi me të gjitha kapacitetet e saj sportive.
“Sot pata kënaqësinë të pritesha nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një ambient të ngrohtë dhe tejet miqësor. Zhvilluam bisedë mjaft interesante dhe frymëzuese për futbollin dhe bashkëpunimin tonë në sport”, ka thënë Ademi.
“Diskutimi ynë u fokusua në ndeshjen e futbollit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë së Shqipërisë për nder të Epopesë së UÇK-së, e cila do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali, më 7 mars në orën 13:00”.
I pari i FFK-së tregoi se u dakorduan me ministrin e Mbrojtjes edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në aspektin sportiv.
“Ministri Mehaj ishte shumë entuziast dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë bashkëpunim, derisa u dakorduam edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në aspektin sportiv”, u shpreh ai.
“Ky memorandum do të mundësojë organizimin e turneve të përbashkëta në të ardhmen dhe shfrytëzimin e aseteve të të dyja institucioneve”.
“Më impresionoj fakti që ministri Mehaj ishte shumë i interesuar për sportin dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë. Ai dëgjoi më vëmendje vizionin tim për të ardhmen e futbollit të Kosovës dhe më motivoi për të bërë edhe më shumë në fushën sportive”.