Banorët shqiptarë në Graçanicë, letër Avokatit të Popullit, Institucioneve dhe Ambasadave: Jemi të diskriminuar dhe të shkelur nga komuna

Banorët shqiptarë në komunën e Graçanicës, i janë drejtuar përmes një letre, Avokatit të Popullit, Presidencës, Kryeministrisë e Ambasadave, në të cilën, alarmojnë institucionet për diskriminimin ndaj tyre

Banorët shqiptarë në Graçanicë i janë drejtuar me letër Avokatit të Popullit, Presidencës, Kryeministrisë e Ambasadave, në të cilën,  thuhet se “duke u mbështetur në nenet 16 dhe 19 të Ligjit për Avokatin e Popullit dhe Nenin 9 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, parashtrojmë këtë ankesë tek Institucioni i Avokatit të Popullit, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave tona kushtetuese, të cilat në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike shpërfillën dhe shkelën nga komuna e Graçanicës”.

Përmes këtyre letrave, banorët alarmojnë institucionet për diskriminimin ndaj tyre, shkruan Telegrafi.

Sipas tyre, komuna e Graçanicës me vetëdije dhe në mënyrë sistematike shkel të drejtat e tyre kushtetuese si qytetarë shqiptarë, duke i privuar nga e drejta për barazi para ligjit; duke mos respektuar detyrimin për nxjerrjen e vendimeve komunale edhe në gjuhën shqipe; duke zbatuar në mënyrë të gabuar dhe qartazi arbitrare dispozitat e një Rregulloreje diskriminuese; duke privuar qytetarët shqiptarë nga shfrytëzimi/disponimi i lirë me pronat e tyre dhe së fundi, duke ndërmarrë veprime që nxisin tensione ndëretnike.

“Ne jemi qytetarë të etnisë shqiptare të Komunës së Graçanicës, me gjendje dhe profesione të ndryshme. Disa nga ne punojnë në sektorin publik, si arsim, shëndetësi, administratë shtetërore e disa jemi afaristë privatë, duke përfshirë edhe investitorë dhe ndërtues”, vazhdon ankesa.

Letrat e siguruara thonë se që të gjithë kanë vendbanimet në territorin administrativ të komunës së Graçanicës dhe janë pagues të tatimeve komunale dhe kontributeve të tjera.

“Që disa vite dhe në vazhdimësi i jemi ekspozuar shkeljeve sistematike të të drejtave tona kushtetuese nga komuna e Graçanicës. Kjo është duke u bërë në mënyrë të qëllimshme nga autoritetet komunale, në zbatim të strategjive politike që kanë për qëllim minimin e karakterit shumetnik të komunës sonë, duke ua vështirësuar jetesën banorëve shqiptarë të komunës së Graçanicës”, shkruhet në letrat e ankesës.

Madje, këta banorët thonë se për këto shkelje të të drejtave të tyre, të cilat paraqiten në mënyrë të argumentuar në vijim, kanë informuar disa herë edhe institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.

“Vazhdimisht na është thënë se institucionet e pushtetit qendror janë të njoftuara për praktikat diskriminuese të komunës së Graçanicës ndaj banorëve shqiptarë, por asnjë Qeveri deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Si rezultat i politikave diskriminuese të komunës së Graçanicës, neve na shkelen në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike e drejta për barazi para ligjit, e garantuar me nenet 2 dhe 24 të Kushtetutës dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi; e drejta në dygjuhësi, e garantuar me Nenin 5 të Kushtetutës dhe Nenin 5 të Ligjit për Gjuhët; të drejtat pronësore, të garantuara me Nenin 46 të Kushtetutës”, shkruajnë ata.

Ata përmendin diskriminimin që u bëhet në këto pika:

  • Praktikat dhe vendimet diskriminuese të Komunës së Graçanicës kundër banorëve shqiptar
  • Mosrespektimi i dygjuhësisë – sidomos nga shërbimet kadastrale të Komunës së Graçanicës
  • Veprimet dhe praktikat diskriminuese nga shërbime e urbanizmit me qëllim që qytetarëve shqiptar t’iu pamundësohet marrja e lejeve të ndërtimit dhe shfrytëzimi i papenguar i të drejtave pronësore

Në fund, ata kanë kërkuar nga Avokati i Popullit rekomandim për pika specifike:

Prandaj, kërkojmë nga Avokati i Popullit që të nxjerrë Raport me Rekomandim që:

  1. Konstaton se Komuna e Graçanicës ka shkelur të drejtat e banorëve shqiptar për barazi para ligjit dhe të drejtat pronësore;
  2. Konstaton se Komuna e Graçanicës ka interpretuar në mënyrë të gabuar nenin 36 të Rregullores Nr. 03/18/KG mbi Kushtet e Përgjithshme për Parcelim, Rregullat dhe Procedurën e Ndërtimit të Objekteve dhe Lëshimin e Kushteve Ndërtimore për Ndërtesat nën kompetencën e Komunës;
  3. Kërkon nga Komuna e Graçanicës që të respektojë detyrimin ligjor për të lëshuar çdo dokument të organeve komunale në gjuhën shqipe;
  4. Kërkon nga Komuna e Graçanicës që të mundësojë qasjen në rrugë publike për çdo parcelë tokësore që është përfshirë si zonë ndërtimore në planin urbanistik të Komunës së Graçanicës.

Këta qytetarë u kanë drejtuar letër edhe institucioneve të Kosovës dhe Ambasadave të huaja në vend.

Kristina Slaviq nga komuna e Graçanicës ka thënë se ankesat e qytetarëve dhe investitorëve nuk janë reale, dhe, sipas saj, komuna do të parandalojë çdo veprim që është në kundërshtim me ligjin pa dallim etnie.

“Në përputhje me pyetjen tuaj, jemi të detyruar t’ju njoftojmë se vazhdojmë të kryejmë mbikëqyrje inspektuese dhe të veprojmë sipas planit të punës të përcaktuar më parë si dhe sipas raporteve të qytetarëve bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë dhe seriozitetit të shkeljes. Të gjitha në interes të qytetarëve tonë dhe respektimin e ligjit dhe rregulloreve të vlefshme. Në këtë kuptim, nuk ka persona të privilegjuar në asnjë bazë dhe nuk do të tolerojmë biznes që shkel ligjin dhe shpërfill procedurat ligjore duke rrezikuar qytetarët. Besoj se jeni dakord me ne në këtë kuptim. Departamenti i Inspeksionit në Komunën e Graçanicës është i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet juridike dhe fizike si dhe me mediat në fushën e respektimit të ligjit dhe kompetencës së organeve inspektuese”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, një komunikatë për media e datës 14 shkurt 2023, të publikuar në faqen e komunës së Graçanicës, thuhet se janë shtuar dhe rritur masat inspektuese të punës së subjekteve ekonomike dhe afariste.

Në këtë komunikatë thuhet se komuna e Graçanicës, në bashkëpunim me shërbimet komunale, ka vazhduar me monitorimin dhe sanksionimin e të gjitha formave të bizneseve ilegale dhe viziton terrenin pas raportimeve të qytetarëve.

“Drejtoresha e Departamentit Komunal të Inspeksionit, Jelena Stojanoviq, me inspektorët e saj dhe drejtoreshën e Departamentit të Shërbimeve Publike, Vlladica Trajkoviq, dje kanë vizituar disa subjekte afariste dhe ekonomike në Uglarë, ku sipas raportimeve po shikohet puna dhe operimi i tyre…

Për pronarët e objekteve të gjetura në vendngjarje janë dhënë masa paralajmëruese dhe është kërkuar dokumentacioni ligjor i biznesit. Inspektimi ka vizituar edhe objektet afariste të cilave më parë iu është ndaluar puna deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes për të siguruar zbatimin e masave të inspektimit”, thuhet në komunikatë.

“Ne kryejmë inspektime pavarësisht nga aktiviteti, kombësia apo ndonjë përkatësi tjetër, si dhe pavarësisht nëse bëhet fjalë për biznes, subjekt ekonomik apo persona fizikë. Rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë dhe nuk ka vend për dyshim në këtë drejtim. Komuna e Graçanicës mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë personat juridikë dhe fizikë në fushën e respektimit të ligjit dhe kompetencës së autoriteteve inspektuese”, kishte deklaruar Jelena Stojanoviq, drejtore e Inspeksionit.

Për këtë problematikë kishte shkruar edhe avokati Arianit Koci.

Ai, më 31 janar 2022, kishte shkruar në profilin e tij në Facebook se në komunën e Graçanicës nuk respektohet fare dygjuhësia si në pjesët e tjera të Kosovës.

Madje, sipas tij, kanë filluar ta përdorin edhe alfabetin cirilik në komunikim me shqiptarët.

“Kur qytetari serb komunikon me çfarëdo organi shtetëror, duke i përfshirë edhe gjykatat, prokuroritë dhe policinë, serbëve iu sigurohen dokumentat në gjuhen amtare – madje edhe përkthyesit, nëse i kërkojnë. Nuk po ndodh e kundërta, edhe pse jemi mbi 90%. Shqiptarët nuk po ankohen në veprimet e komunës së Graçanicës, për shkak se kryesisht janë të varur prej asaj administrate; bizneset shumë shpesh tentojnë që me ‘lidhje të shkurtra’, të kryejnë punë”, shkruante Koci.

Zyra e Avokatit të Popullit e ka konfirmuar për Telegrafin pranimin e ankesës së këtyre banorëve.

“Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) e ka pranuar sot ankesën e tillë. IAP, sipas kompetencave dhe mandatit do të trajtoj këtë ankesë”, kanë deklaruar për Telegrafin nga ky institucion./Telegrafi

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika