Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vizituar Komunën e Gjakovës, të shtunën e 4 marsit.
Krasniqi është takuar në Shishman me qytetarët e rajonit të Rekës së Keqe.
“Në vitet 90-ta, banorët e Rekës së Keqe janë detyruar që të emigrojnë për shkaqe politike dhe përndjekjes së agresorëve serbë. Sot, familjarët e tyre, gjenerata e tyre e re, fatkeqësisht po ikin në mungesë të shpresës. Për më tepër, banorët e këtij rajoni janë të shqetësuar edhe për marrëveshjen e fundit që ka sjellë Kryeministri, duke u garantuar kompetenca shtesë dhe autonome komunitetit serb në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së është shprehur se “si rezultat i keqqeverisjes, gjendja ekonomike në vend është sikur asnjëherë më parë”.
“Çmimet janë rritur, shëndetësia dhe arsimi janë degraduar, shpenzimet e qytetarëve janë ngritur ndjeshëm e numri i atyre që po i afrohen pragut të varfërisë po shtohet çdo ditë”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas tij, është jetike për Kosovën angazhimi i të gjithëve për rikthimin e shpresës në Kosovë.
“Të bashkohemi për ta bërë Kosovën një vend ku rinia e jonë e projekton ndërtimin e të ardhmes së saj. Kosova ka potencial për ta realizuar këtë mision – vetëm duhet punë, vullnet dhe besim e angazhim serioz. Këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë, rinisë tonë!”, ka theksuar tutje i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.