Që nga themelimi i institucionit të Policisë së Kosovës, më shumë se dy mijë e 200 policë të uniformuar e kanë braktisur punën.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, teksa shtoi se për çdo vit rreth 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës japin dorëheqje vullnetare.
Sipas tij, arsyet kryesore për braktisjen e PK-së janë pagat, që siç thotë Zeqiri, nuk ofrojnë një jetë dinjitoze, mungesa e sigurimeve shëndetësore e jetësore, mungesa e kushteve.
“Dorëheqjet vullnetare janë shqetësim për Policinë e Kosovës, sepse janë në rritje. Gati për çdo vit kemi nga 100 ose mbi 100 dorëheqje vullnetare, e që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më tani kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai për EO.
Për Zeqirin, shqetësuese mbetet rritja e këtij trendi vitet e fundit.
“Konsideroj se kjo është një dukuri jashtëzakonisht e dëmshme që e dëmton institucionin e sigurisë, por edhe shtetin për shkak se për të gjithë ata shteti ka investuar. Domethënë janë bërë harxhime jashtëzakonisht të mëdha”.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta kthejë vëmendjen kah institucioni i sigurisë.
“Vërtet ne kemi pasur mungesa edhe gjatë vitit të kaluar edhe në pjesën logjistike, qoftë uniforma, qoftë automjete, vetura, qoftë transporterë të tjerë, apo edhe mjete të teknologjisë. Kjo ka qenë pengesë sepse në Policinë e Kosovës, diku rreth 25 projekte i kanë kaluar të gjitha procedurat e tenderimit por për shkak të një mungese të gjatë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë mbetur të bllokuara. Tanimë kanë filluar disa të rishqyrtohen e disa të rikthehen nga fillimi me procedura”, u shpreh Zeqiri.
E sa i përket Ligjit të Pagave, Zeqiri thotë se kjo i ka zhgënjyer edhe më shumë pjesëtarët e policisë.
“Kudo që njeriu do të kërkojë një punë tjetër e gjen me një pagë më të lartë. Një shembull konkret; kemi shumë pjesëtarë të policisë që nga dorëheqja në Polici kanë kaluar, janë licensuar si avokatë, sepse e kanë pasur Fakultetin Juridik, e kanë dhënë provimin e Jurisprudencës dhe kanë kaluar në avokaturë dhe financiarisht i kanë punët shumë më mirë”, ka thënë Zeqiri.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se shkaku i pagës, pjesëtarët e PK-së detyrohen të migrojnë jashtë shtetit.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime karshi kësaj dukurie.
“Duke u zhvilluar jeta deri tani, po shihet qartë që Policia është materialisht shumë në gjendje të mjerueshme, sepse me një pagë të tillë, çfarë e ka policia, është e vështirë me përballu muajin. Prandaj shkaku kryesor është baza materiale, përndryshe ka edhe disa kushte të tjera. Është e vetmja Policia e Kosovës që nuk kanë sigurim shëndetësor e shumë çështje të tjera. Me pagat që i marrin në këtë situatë, është tepër vështirë ta përballojnë muajin”, ka thënë Tërnava.