Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka përkujtuar 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari.
Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se secili qytetar duhet të përkujtojë luftën për liri, vetëdijësimin dhe sakrificën e familjes Jashari.
“Secili prej nesh, përjet duhet të përkujtojë luftën për liri, vetëflijimin dhe sakrificën e familjes Jashari, atyre që dhan gjithçka për kombin lirinë dhe shtetin. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Tahiri.
Këtë të diel bëhen 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.
Sulmin e gjerë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Serbia e kishte koncentruar në Prekaz, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.
Ngjarja e fillimit të marsit të vitit 1998 ishte e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, duke ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore, e kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.
Më 5 mars të këtij viti bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.
Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuara nga forcat paramilitare serbe që nga viti 1991 deri më 1998. Synimi i tyre ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.