Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia do të përballet me presione të vështira.
I pyetur në lidhje me kërkesën e deputetëve të “Alternativës për Gjermaninë në Bundestag të Gjermanisë, që kërkojnë që Gjermania ta tërheqë njohjen e Kosovës”, Vuçiqi ka thënë se nuk është reale, kjo pasi Gjermaninë e udhëheq Qeveria e Olaf Scholzit.
“Por, ne sigurisht do të përballemi me presione të vështira. Ka pasur shumë të pavërteta e gënjeshtra ditëve të fundit, pasi shumë ishin të zemëruar dhe po shpresonin që unë do të firmosi diçka dhe të mund të thonin se Serbia ka humbur. Por, ata kurrë nuk kanë qenë të shqetësuar për Serbinë, por për kolltukët e tyre dhe arkat e plota të cilat nuk i meritojnë”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq është pyetur edhe për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “Vuçiqi flet vetëm për Asociacionin”, shkruan Tanjug.
“Kam problem në të folur, ka të drejtë Kurti, qëndroj pas së drejtës ndërkombëtare, qëndroj prapa Kartës së OKB-së dhe u përmbahem marrëveshjeve të nënshkruara”, tha Vuçiq.
Ndryshe, pas një takimi në Beograd, ambasadori i Amerikës në Serbi, Christopher Hill dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan që formimi urgjent i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë “është me rëndësi prioritare”.
Kështu është bërë e ditur nga Presidenca e Serbisë, shkruan REL.
Vuçiq ka shkruar në profilin e tij në Instagram më 3 mars se ka informuar ambasadorin Hill për rundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbajt më 27 shkurt në Bruksel.
Veç formimit të Asociacionit, Vuçiq ka thënë se “duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”.
Ai ka thënë gjithashtu se të premten ka biseduar edhe me ambasadorin britanik në Beograd, Shan McLeod, për hapat e mëtejshëm për ta formuar sa më parë Asociacionin.
Në takimin e së hënës, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtuan për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.