Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari.
Përmes një postimi, presidenti Begaj ka nderuar komandantin legjendar, Adem Jashari dhe dëshmnorët e lirisë.
“Sot në këtë 25-vjetor të Betejës së Prekazit, nderojmë me respekt heroin dhe komandantin legjendar, Adem Jasharin, si edhe dëshmorët e lirisë të cilët dhanë jetën në këtë betejë pas tri ditëve rezistencë dhe heroizëm”, ka shkruar Begaj.
Sipas Begajt, që Kosova të fillonte një epokë të re, do të duhej qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij.
“Do të duhej qëndresa dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe i familjes së tij që Kosova të fillonte një epokë të re, atë të lirisë dhe demokracisë! Ata janë guri i themelit të lirisë së saj”, ka shtuar presidenti shqiptar.
“Lavdi veprës heroike te Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës!”, ka theksuar Begaj.