Kuvendi i Kosovës këtë të hënë do të zhvillojë seancë solemne për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca do të nisë në ora 12:00.
Për nder të kësaj dite, do të marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të mbajë fjalim.
“Në orën 12:00, presidentja Osmani merr pjesë dhe mban fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Deputetëve do t’u drejtohet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në seancën solemne për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, më 5, 6 dhe 7 mars është organizuar manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.