Për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjitha shkollat në kryeqytet orën e parë të mësimit e kanë dedikuar “për të ndarë copëza tregimesh nga historia moderne e Republikës së Kosovës”.
I pranishëm në shkollën “Hasan Prishtina”, ishte edhe kryetari i komunës, Përparim Rama, i cili tha se ishte kënaqësi të dëgjonte rrëfime për UÇK-në.
Në këtë shkollë, ishte ish-ushtarja e UÇK-së, Aida Dërguti, e cila ndau tregimet dhe përvojat e saj gjatë luftës.
“Bashkë me Besianë Musmurati, drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, patëm kënaqësinë të dëgjojmë një rrëfim inspirues nga Aida Dërguti, dikur ushtare e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e sot një grua që vazhdon të na frymëzojë si shembull i guximit të një gruaje luftëtare”, ka shkruar Rama.
Përveç Dërgutit, në shkollat e Prishtinës kanë ndarë përvojat e tyre edhe shumë personalitete të ndryshme.