Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij në seancën solemne për nder të 25-vjetorit të epopesë së UÇK-së, ka thënë se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt, jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.
“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembull, jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, 3 breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baci Shaban, e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën deri në vetëflijimin e tyre të plotë”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari ka thënë se lufta e Jasharëve ishte aq legjendare e kishte sakrifica aq sublime e vetëmohim aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, e bota u zhvendos nga orbita e vet politike.
“Lufta e Jasharëve ishte aq legjendare e kishte sakrifica aq sublime e vetëmohim aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, e bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UÇK-ja u bë frymë dhe e përfshiu tërë popullin tonë”, ka vijuar ai.