Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të hënën ka pritur në një takim ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Në takim me të kanë diskutuar për reformën në drejtësi, arritjet e deritashme si dhe hapat tutje të këtij dikasteri për realizmin e objektivave.
Ministrja Haxhiu ka njoftuar për së afërmi ambasadorin Davenport për progresin e arritur në realizmin e procesit të Vettingut, duke informuar gjithashtu edhe për veprimet tutje në adresimin e kësaj reformë përmbajtjësore.
Në njoftimin e MD-së thuhet se reforma në Sistemin Prokurorial, Byroja Shtetërore për Konfiskimin Civil, adresimi i dhunës në familje dhe ngritja e mekanizmave ligjor në ketë drejtim, sikurse edhe bashkëpunimi me OSBE në aktivitetet e muajit mars, me fokus ndërgjegjësimin shoqëror e institucional kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore, ishin po ashtu tema të trajtuara në këtë takim.
“Është diskutuar edhe për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë me institucionet tjera të drejtësisë si Këshillin Gjyqësor, atë Prokurorial e të tjerë, të cilat përmes adoptimit të një plani të përbashkët të veprimit, do të adresonin nevojën e ndryshimeve të tjera ligjore për përmirësimin e llogaridhënies, performancës, disiplinimit dhe transparencës në drejtësi. Bashkëpunimi me OSBE-në mbetet përherë i vlefshëm dhe se i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet tutje.