Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së” ka thënë se Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari së bashku me të gjithë anëtarët tjerë të familjes kanë rënë për lirinë e Kosovës.
“Shaban Jashari, njësoj si djemtë e tij, kishte thënë ‘këtu kemi le, këtu kemi me vdekur, nuk kemi ku të shkojmë, do të luftojmë sa të mundemi – kur të vijë vdekja, vdesim dhe udha e mbarë na qoftë”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë fjalimit të tij, kreu i Qeverisë së Kosovës ka treguar edhe se si të tre ata, në raste të ndara, kishin thënë se nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë vendin e tyre dhe se do të luftojnë ta mbrojnë atë.
“Me fjalët e tij [Ademit] dhe të Hamëzës ‘s’kemi ku të shkojmë, këtu do ta bëjmë vdekjen, ku të parët tanë jetuan me shekuj – kurrë nuk do ta lëshojmë këtë vend, do të përpiqemi me aq sa kishim mundësi”, ka vijuar ai.
Ndryshe, në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe sipas tij, të tilla do të mbeten përjetë.
Kurti ka thënë se qëndresa e familjes Jashari është kthyer në rezistencë dhe ka frymëzuar të gjithë shqiptarët për t’u çliruar nga Serbia.