Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka përfaqësuar Kosovën në selinë e OKB-së në New York, ku ka prezantuar mbi çështjen e barazisë dhe fuqizimin gjinor në epokën digjitale.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se duhet më shumë punësim e pavarësi financiare.
“Theksova nevojën për përpjekje të shtuara për të arritur progres më domethënës dhe të qëndrueshëm. Si shtete dhe kombe, na duhen më shumë arritje në arsim e fuqizim socio-ekomomik, në veçanti më shumë punësim e pavarësi financiare. Republika e Kosovë në vitin 2020 ka aprovuar Konventën e Stambollit. Po ashtu, kemi bërë hapa të rëndësishëm, duke adaptuar në Kushtetutë dhe ligje, parimet dhe standardet ndërkombëtare në ofrimin e mundësive të barabarta dhe fuqizimin e gruas”, ka shkruar shefi i deputetëve të AAK-së.
Tahiri tha se Kosova ka treguar kulturë të lartë demokratike, duke e përmendur edhe postin e presidentes së Kosovës, që udhëhiqet nga Vjosa Osmani.
“Përtej anës formale, si vend dhe shoqëri, kemi treguar kulturë të lartë demokratike, aktualisht ne udhëhiqemi nga lidershipi i një presidenteje grua, e dyta në mesin e katër presidentëve të shtetit tonë të ri. Në udhëheqjen institucionale dhe publike, shumë gra të zonja kanë dhënë shembull të lidershipit të fortë, duke drejtuar diplomacinë, energjinë, drejtësinë, edukimin e ekonominë. Por, edhe në platforma civile e biznese. Tashmë, besueshmëria në përfaqësimin e grave në Kuvendin e Kosovës, është etabluar, duke i lënë pothuajse të kaluarës nevojën e kuotës gjinore”.
Ai tutje ka thënë se Kosova ka trashëgimi të misionares më të madhe të humanizmit Nënë Tereza, që “po ndiqet nga ambasadorët e paqes, e shumë yje në muzikë, sport e art që na bëjnë krenarë si shtet dhe shoqëri”.
“Tradicionalisht nëna, motra kanë qenë të shenjta, motivi i familjes. Nisur nga shtëpia, babai ishte figurë e rëndësishme në qytet, por në sytë tonë lidere ishte nëna. Faktikisht, ajo ishte përgjegjësja. Fakti që më brengos edhe më tutje është, se ne po i shkojmë disi rrotull kësaj çështje për vite me radhë. E mbajë mend fillimisht si pjesë e OSBE-së, e në vazhdimësi në angazhime, ekspozohet fjala kualitet para mundësi”.
Tahiri është shprehur se Kosovës i duhet shumë punë që gratë “të kenë qasje të papenguar dhe afirmative në punësim, në institucione, në përfshirje sociale, drejtësi, arsim e financa. Kemi rrugë për të bërë!”.