Një delegacion parlamentar nga Hungaria ka thënë më 7 mars se e mbështet aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO.
Kështu ka thënë nënkryetari i parlamentit hungarez, Csaba Hende, pas një takimi me kryetarin e parlamentit suedez, Andreas Norlen, në Stokholm të Suedisë.
“Ne e mbështesim anëtarësimin e Suedisë në NATO”, ka thënë Hende për agjencinë suedeze të lajmeve TT, shkruan REL.
Disa ligjvënës hungarezë kanë ngritur dyshime nëse duhet t’i mbështesin aplikimet për anëtarësim në NATO nga Suedia dhe Finlanda, duke përmendur ato që ata i quajnë “gënjeshtra të hapura” nga Stokholmi dhe Helsinki për gjendjen e demokracisë në Hungari.
Por, delegacioni hungarez ka thënë të martën se parlamenti do ta ratifikojë përfundimisht aplikimin e Suedisë në NATO.
Më 2 mars, Parlamenti i Hungarisë njoftoi se ka shtyrë ratifikimin për dy javë dhe ligjvënësit hungarezë pritet të votojnë në seancën e 20 marsit.
Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimet e dy vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.
NATO kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.