Analisti Astrit Gashi në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Hashin Thaçi e ka nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe se ka pasur faza të implementimit, mirëpo ajo çfarë është tani nuk është diçka e re, është vetëm vazhdimësi e vitit 2013.
“Isa Mustafa e ka bërë statutin e Asociacionit, e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese, i ka marrë vërejtjet e caktuara. Më nuk ka punuar kurrkush në atë drejtim, sepse as interesimi i ndërkombëtarëve nuk ka qenë ta shtyjë atë temë’’, është shprehur Gashi.
Si rrjedhim i kësaj, sipas Gashit, ka pasur negociata për tema të tjera, si në qeverinë Haradinaj, po ashtu edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit.
Mirëpo me ardhjen e administratës së re amerikane, “e ka rikthyer vijimësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu e ka kthyer një konsensus mes partnerëve evropiank dhe SHBA-ve se si duhet qasur dialogut’’.
Andaj, sipas tij, ka nisur një proces i ri i dialogut, i cili është vazhdimësi e dialogut të 2013-tës.
Nëse një kryeministër tenton ta bishtnojë themelimin e Asociacionit, sipas Gashit “ndoshta edhe mundet si kryeministër, por si Kosovë nuk mundemi t’i ikim’’, ka thënë ndër të tjera Gashi.