Pas miratimit të Ligjit për agjentët e huaj në Gjeorgji, protestuesit përleshen me policinë

Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e Tbilisit pasi parlamenti miratoi në lexim të parë një ligj të diskutueshëm për "agjentët e huaj" që kritikët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thonë se do të ndikojë në lirinë e vendit

Protesta në Gjeorgji

Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e Tbilisit pasi parlamenti miratoi në lexim të parë një ligj të diskutueshëm për “agjentët e huaj” që kritikët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thonë se do të ndikojë në lirinë e vendit.

Ky ligj, i cili mbështetet nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, do të kërkojë që çdo organizatë që merr më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohet si “agjent i huaj” ose do të përballet me gjoba të konsiderueshme.

Policia u përball me protestuesit mbrëmjen e 7 marsit përpara ndërtesës së parlamentit, kur protestuesit bllokuan sheshin Avenue Rustaveli, me thirrjen “Poshtë ligji rus”.

Ndërsa tensionet rriten, policia përdori sprej mbi protestuesit, të cilët thyen barrierat dhe disa hodhën sende ndaj personelit të sigurisë.

Më vonë, duke përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës policia shpërndau turmën në orët e hershme të mëngjesit, megjithëse nuk është e qartë nëse protestuesit ishin larguar nga zona kryesore apo ishin zhvendosur në hapësirë tjetër.

Përplasjet erdhën pasi ligjvënësit votuan në leximin e parë pro projektligjit, në një votim të planifikuar për 9 mars, i cili u zhvendos më 7 mars, për arsye ende të pashpjegueshme.

Projektligji pritet të kalojë edhe në lexim të dytë dhe të tretë.

Kritikët thonë se ky ligj pasqyron legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike atje.

Ndikimi rus është një çështje e ndjeshme në Gjeorgji. Rusia pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, pas së cilës Moska njohu Osetinë e Jugut dhe një rajon tjetër, Abkhazinë, si vende të pavarura dhe vendosi mijëra ushtarë të saj në ato zona.

Projektligji do t’i dërgohet Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, një organ këshillimor për demokracinë dhe të drejtat që mund të ofrojë një opinion, por nuk ka fuqi zbatuese.

Më 6 mars, ligjvënësit gjeorgjianë u përplasën në parlament gjatë diskutimit për këtë nismë ligjore, ku gjatë kohës së seancës forcat policore u shtuan rreth ndërtesës, teksa protestuesit kërkuan të mos shqyrtohet i njëjti.

Presidentja Salome Zurabishvili ka thënë se do të vërë veton ndaj projektligjit, megjithëse parlamenti mund ta anulojë veton e saj.

Në një adresim me video të bërë gjatë një vizite zyrtare në SHBA, ajo tha se i mbështet kërkesat e protestuesve.

“Ky ligj – për të cilin askush nuk kishte nevojë – nuk vjen nga hiçi. Është diçka e diktuar nga Moska”.

“Gjorgjia, e cila e sheh të ardhmen e saj në Evropë nuk do të lejojë askënd ta largojë nga kjo e ardhme”, tha ajo.

Ambasada e SHBA-së në Tbilisi e quajti këtë “ditë të zezë për demokracinë e Gjeorgjisë”.

“Ndjekja e këtyre ligjeve do të dëmtojë marrëdhëniet e Gjeorgjisë me partnerët e saj strategjikë dhe do të minojë punën e rëndësishme të kaq shumë organizatave gjeorgjiane që punojnë për të ndihmuar qytetarët e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se veprimi i parlamentit ishte një “zhvillim shumë i keq” për Gjeorgjinë dhe mund të ndikojë negativisht në lidhjet e saj me Brukselin. Gjeorgjia ka pasur prej kohësh aspirata për t’u anëtarësuar në BE.

Para votimit, Human Rights Watch dhe Amnesty International i kërkuan parlamentit të Gjeorgjisë ta kundërshtojë këtë projektligj.

Më shumë se 60 media dhe grupe të shoqërisë civile u zotuan muajin e kaluar se nuk do ta respektojnë këtë ligj, nëse ai do të miratohej.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika