Në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës opozita ka lëshuar sallën për shkak se seanca filloi me një orë vonesë sepse pati mungesë të kuorumit.
Grupet parlamentare opozitare të PDK-së dhe LDK-së kanë deklaruar që nuk vazhdojnë të qëndrojnë në sallë, sepse pas gati dy orësh nuk ka kuorum nga Grupi Parlamentar për të vazhduar me votimet pikat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të pikave të tjera të rendit të ditës.
Në këtë seancë të sotme në rend dite ishin këto tri marrëveshje ndërkombëtare: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Projektin-efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se qëndrimi në sallë është i kotë pas gati dy orësh pa asnjë pikë të rendit të ditës pa u votuar.
“Ne si GP kemi vendosur të mos vazhdojmë të qëndrojmë në sallë, sepse që gati dy orë asnjë pikë e rendit të votuar, shkaku i mungesës së deputetëve të pozitës për të vazhduar me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, ne nuk po e shohim të arsyeshme të qëndrojmë në sallë”, ka thënë Tahiri.
Po ashtu, edhe shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka ndarë të njëjtin qëndrim.