Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), do të mblidhet nesër, ku në agjendë është edhe miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Demush Shasha.
“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovon liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar Shasha në Facebook, ku ka prezantuar edhe një dokument.
Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa pa viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast, jo më vonë se 1 janari 2024.
Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportës së Kosovës që udhëtojnë në BE pa vizë do të mund të qëndrojnë për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.
Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se qëndrimi që “jo më vonë se 1 janar 2024 nuk do të thotë se [liberalizimi] nuk mund të ndodhë më herët“.
Ndryshe, më 12 janar të këtij viti, Komisioni për Liri Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i njohur shkurt LIBE, i Parlamentit Evropian, për pikën për Kosovën që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave, votoi me shumicë dërrmuese për pro.
Më 14 dhjetor të vitit 2022, ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe Presidencës së Këshillit të BE-së arritën marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtim pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon lëvizjen e lirë me vendet e zonës Schengen.