Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të enjten e nëntë marsit.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë pritet të takohet edhe me krerët e tjerë të institucioneve shtetërore dhe me ata të partive opozitare.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve.
Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Pavarësisht se e pranuan planin, që Kosovës dhe Serbisë fillimisht u ishte dorëzuar vitin e kaluar, Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan dokumentin gjatë takimit të 27 shkurtit.
Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, këtë gatishmëri nuk e pati pala serbe.
Kryeministri Kurti deklaroi më 8 mars se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.