Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se fjalën përfundimtare për një marrëveshje me Serbinë duhet ta japë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, gjatë takimit të tyre është diskutuar për zhvillimit e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.
Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.
Po ashtu, Osmani ka potencuar se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Osmani ka theksuar se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të rënë dakord në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht të pacenueshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
“Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Osmani ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.
Pas takimit me presidenten Osmani, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lajçak, është nisur drejt objektit të Kryeministrisë, ku pritet të takohet me kreun e Qeverisë, Albin Kurti.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë pritet të takohet edhe me krerët e partive opozitare.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve.
Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe, sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.