Këtë të enjte ka filluar testimi fizik i grupit të parë të të rinjve, të cilët kanë aplikuar për pranimin e 612 pjesëtarëve aktivë në FSK dhe 388 të tjerë për pjesëtarë rezervë.
Ky testim është mbajtur në Qendrën e Palestrës së Sporteve në kazermën “Adem Jashari”, ku për të parë nga afër procesin e testimit ka shkuar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
“Është vërtet kënaqësi teksa sheh të rinj e të reja që me kaq vullnet mezi presin t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK garanton proces transparent të rekrutimit. Ai bëri të ditur se procesi përveç instruktorëve të FSK-së, është duke u mbikëqyrur edhe nga përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, organizatat joqeveritare, si dhe mediat.