Neni 6 i planit evropian, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sjell negociata të pafundme e shumë kompromise të reja, të cilat nuk i nevojiten Kosovës.
Këto tema, të cilat, sipas tij, i sjell ky nen, kanë qenë duke u dialoguar që nga fillimi i dialogut teknik.
“Kjo çka sjell është një cikël të ri të pafundmë të negociatave, të kompromiseve, temave dhe diskutimeve që i kemi pasur prej që ka filluar dialogu teknik”, ka thënë ai gjatë intervistës në ‘Debat Plus‘ në RTV Dukagjini.
I pari i PDK-së tha po ashtu se edhe terminologjia e përdorur në marrëveshjen e propozuar nga BE është tejet problematike për shkak të dykuptimësisë gjuhësore.
“Terminologjia është problematike, krejt teksti vuan prej asaj që është lëngatë e përhershme e teksteve evropiane, ambiguitetit konstruktiv, dykuptimësisë, e cila e bën të lehtë të interpretohet secila palë si ka qejf, për t’ia mbushur mendjen atyre që i kanë mbështetës”, tha ai.
Problematike, sipas Krasniqit, është edhe që në vend të fjalës “finale” është përdorur termi “marrëveshje ligjërisht e obligueshme”.