I panevojshëm e cenim i integritetit të sistemit të drejtësisë, po konsiderohet iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje, për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, për rastet e dhunës në familje e dhunës seksuale ndaj grave.
Nga Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë, derisa nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kanë kritika për një praktikë të tillë.
“Definitivisht dhuna në familje, dhuna në bazë gjinore, dhuna seksuale janë prej emergjencave shtetërore me të cilat definitivisht duhet të merremi, mirëpo praktika e trajtimit të këtyre rasteve përmes komisioneve parlamentare, nuk është adekuate, fillimisht duhet theksuar faktin se kjo çështje duhet të adresohet nga institucionet e drejtësisë, duhet që të funksionalizohet ligji për mbikëqyrjen elektronike, që ende nuk është funksionalizuar”, ka deklaruar Gzim Shala, nga IKD-ja.
Ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, e konsideron një veprim të tillë edhe Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, i cili thotë se duhet mbështetur gjyqtarët e prokurorët në forma të tjera.
“Komisionet e tilla konsiderojë që realisht janë të panevojshme, sepse ato iniciativa fillimisht duhet të mbështet institucionet që janë të thirruara me zbatu drejtësinë, një vendim i tillë një komision i tillë në raste se formohet, atëherë automatikisht e degradon punën e policisë, punën e prokurorisë e gjykatës, një komision i tillë duhet të fokusohet në krijimin e kushteve për parandalimin, luftimin dhe trajtimin post rasteve të dhunës në familje”, ka thënë Ndrecaj.
Ndalimin e menjëhershëm të një iniciative të tillë, e kërkon edhe avokati Yll Zekaj, ndërkohë që shton se raportet që nxirren nga komisione të tilla, nuk ndihmojnë në zbardhjen e ndonjë rasti.
“Nëse ky komision do të marr secilin rast për rast që të trajtoj aktgjykime, të trajtojë aktakuzat të trajtoje, e ftojë gjyqtarët në intervistime nga ky komision atëherë kjo, drejtpërdrejt prek edhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, dhe si i tillë duhet të kundërshtohet nga çdo akterë, që ka fuqi në këtë rast dhe nuk duhet që të eksperimentohet, në këto çështje”, ka thënë Zekaj.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja Vetëvendosje, njoftoi se 40 deputetë i kanë bërë kërkesë Kryesisë së Kuvendit për themelimin e një komisioni hetimor që praktikisht nëse themelohet do të thërras për t’i marr në pyetje prokurorë e gjykatës që kanë trajtuar raste të dhunës në 5 vitet e fundit.
Ndërkohë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit nuk kanë qenë të qartë në përgjigjen e tyre nëse e konsiderojnë ndërhyrje këtë iniciativë por shkurt kanë thënë se ‘nuk kanë pasur kërkesë të tillë dhe se si Prokurori do të respektojnë Kushtetutën që rregullon ndarjen e pushteteve dhe Kodin e Procedurës Penal për qasje në shkresat e lëndës”.
“Ju informoj se institucioni i Prokurorit të Shtetit nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga kushdo qoftë për të lejuar një ndërhyrje të tillë. Përndryshe, ne si prokurori në çdo rast do të veprojmë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila e ka rregulluar ndarjen e pushteteve dhe poashtu sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës që e rregullon procedurën për qasje në shkresat e lëndës”.
https://www .youtube.com/watch?v=omR7u2YNN34