Të enjten më 9 mars, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ato që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, votuan njëzëri në mbështetje të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Ky votim shënon edhe një nga momentet më të rëndësishme të procesit të liberalizimit të vizave, kështu kanë konsideruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Po ashtu, Kurti ka thënë se pritjes së gjatë për udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës po i vjen fundi.
Por, në rrugën drejt finalizimit të këtij procesi, kanë mbetur edhe tri hapa proceduralë, pasi nuk ka mosmarrëveshje politike mes shteteve anëtare lidhur me procesin.
- Ministrat e BE-së miratojnë me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën
- Osmani për liberalizimin e vizave: Kriteret janë plotësuar pesë vjet më parë
- Kurti pas vendimit të KE-së për liberalizimin e vizave: Pritjes së gjatë po i vjen fundi
Pas votimit të së enjtes, hapi i radhës është që përfaqësuesit e tre institucioneve të BE-së, Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit të nënshkruajnë aktin ligjor.
Kur të përfundojë ky hap, atëherë mbetet procedura e publikimit në fletoren zyrtare, së bashku me datën e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe hapi i tretë apo i fundit është hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave.
Kjo do të ndodhë jo më vonë se 1 janari 2024, deri kur kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen varet nga sistemi ETIAS, për të cilin po bëhen përpjekje për funksionalizimin.
Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.
Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan t’i vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim, i cili është i vlefshëm për tre vjet.
Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.
Pra, diplomatët në BE bëjnë të ditur se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.
Burime në BE kanë pohuar se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, i cili përfundon më 31 qershor, dhe se vendimi do të jetë gati për të hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.