Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, ka vënë në pah detaje të reja për aksidentin me fatalitet që ka ndodhur të shtunën, në rrugën Gjilan-Kamenicë, saktësisht në fshatin Ranillug.
Këtë e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin, edhe Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas njoftimit të Policisë, nga ky aksident e ka humbur jetën një 70-vjeçar.
“Deri te aksidenti ka ardhur pasi i dyshuari mashkull kosovar deri sa ishte duke drejtuar automjetin VW kombi, për arsye të pa njohura, del në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe godet veturën Lada Riva, të cilën e drejtonte viktima mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Në këtë aksident, lëndime ka pësuar edhe pasagjeri që ishte me viktimën në veturë.
“Si pasojë e aksidentit, viktima është dërguar në Qendrën emergjente të Gjilanit pa shenja jete, lëndime trupore ka pësuar edhe pasagjeri mashkull kosovar i cili pas marrjes se tretmanit mjekësor lirohet në shtëpi”, thuhet më tutje në raport.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës, dërgohet ne Institutin e Mjekësisë Ligjore(IML) për obduksion.
Sipas raportit, i dyshuari pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë në drejtim të pa njohur.
Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Hashani ka konfirmuar se ende nuk ka detaje të reja për arrestimin e personit të dyshuar.
Sipas Hashanit, në mënyrë intensive po bëhen kërkime për lokalizimin e të dyshuarit dhe rrjedhimisht arrestimin e tij.