Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka njoftuar qytetarët dhe opinionin publik se Policia e Kosovës ka larguar listat me të dhënat personale të shpërndara para objektit të Qeverisë pasi Partia Socialdemokrate, më 6 mars kishte vendosur 205 mijë nënshkrimet e gjatë peticionit të vitit 2015 kundër Asociacionit.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi njofton qytetarët dhe opinionin publik se listat me të dhënat personale të mbledhura gjatë peticionit të vitit 2015, të shpërndara para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë larguar nga Policia e Kosovës dhe janë të vendosura në një ambient të sigurt nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se AIP është në komunikim zyrtar me Policinë e Kosovës dhe bazuar në autorizimet ligjore do të ndërmerr të gjitha veprimet që këto lista me të dhëna personale të qytetarëve të trajtohen sipas kritereve të parapara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Për këtë aksion AIP ishte kundër pasi sipas tyre këto “lista përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve, të cilat janë mbledhur dhe përpunuar për një qëllim specifik”.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi është njoftuar nga lajmet e publikuara në mediume, të postuara apo ri postuara edhe në rrjete sociale, me pamjet e këtij aktiviteti, të cilat dukshëm shpërfaqin shpalosjen e dokumenteve të peticionit me të dhëna personale të qytetarëve. AIP ka bërë thirrje të respektohet kuadri ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”, thuhej në njoftim.
Më gjashtë mars PSD kishte vendosur para Qeverisë së Kosovës 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2015 kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, kishte thënë se Qeveria e Kosovës e ka braktisur vullnetin e qytetarëve.