Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka ftuar të premten mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
I pari I PDK-së ka njoftuar Kryesinë për takimet dhe komunikimet e ditëve të fundit që ka pasur me akterë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, pas dakordimit të kryeministrit, Albin Kurti për propozimin evropian.
Gjatë këtij takimi, Krasniqi i ka informuar anëtarët e Kryesisë edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të cilin e priti sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Qëndrimi i PDK-së mbetet konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me këtë marrëveshje, e cila është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se kjo marrëveshje sipas tij heq dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë.
“Kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.
Në fund të këtij takimi, u dakordua që javën e ardhshme të ftohet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së.