Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë të ditur se ka vizituar fermën blegtorale të vëllezërve Zylbear dhe Fehmi Rrysha në Varosh të Ferizajt.
Peci theksoi se dy vëllezërit punën e tyre në Gjermani dhe Zvicër e kanë kthyer në vendlindje.
“Përkushtimin e kemi maksimal për qeverisje të mirë, për rend, ligj e transparencë e për këtë nuk na ndalë as shiu i sotëm që të jemi pranë fermerit edhe fizikisht. Sot vizitova fermën blegtorale të vëllezërve Zylbear dhe Fehmi Rrysha në Varosh të Ferizajt. Punën e tyre në Gjermani e Zvicër e kanë kthyer në investim në vendlindje. Aktualisht ferma e tyre numëron 1500 dele dhe mbi 700 qingja. Përveç se me bagëti të imta, vëllezërit Rrysha merren edhe me mbarështimin e lopëve. Traditën e mbarështimit të bagëtive, Zylbeari dhe Fehmiu e kanë të trashëguar me breza”, ka shkruar Peci.
Peci tha se përmes fuqisë së ligjit, parimeve dhe meritokracisë çdo ditë do t’i luftojnë dukuritë negative e cilëndo tendencë për mashtrime e manipulime.
“Gjatë javë që lamë pas, përmes leximit të dytë në Kuvend, avancuam legjislacionin ndërsa po qëndron e hapur thirrja për aplikim në Programin për Pagesa Direkte – Subvencione 2023. Ky program në substancë mbështet fermerin meritor. Përmes Programit për Zhvillim Rural – Grante 2023, këtë vit do i kushtojmë rëndësi rritjes së fondit blegtoral në mënyrë që ta shndërrojmë blegtorinë në një sektor të suksesshëm. Çdo ditë do t’i luftojmë dukuritë negative e cilëndo tendencë për mashtrime e manipulime; përmes fuqisë së ligjit, parimeve tona dhe meritokracisë”, ka shtuar ai.