Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka kritika të mëdha për qeverisjen e Kurtit dhe mënyrën sesi është zhvilluar procesi i dialogut, porse propozimi evropian duhet të përkrahet edhe nga partitë opozitare.
Lideri i AAK-së ka thënë se e konsideron si arritje të madhe për Kosovën propozimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Megjithëse beson se marrëveshja ka mundur të jetë edhe më e mirë me “një kryeministër tjetër”.
Derisa zyrtarët qeveritarë dhe disa analistë po përsërisin se Marrëveshja që pritet të nënshkruhet më 18 mars në Ohër është njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia, Haradinaj shkon edhe më tutje.
“Marrëveshja ka njohjen edhe de-jure në planin ndërkombëtar, por nuk e ka njohjen bilaterale me Serbinë. Kjo e arritur është falë aleatëve tanë dhe me siguri reflekton realitetet në rajon e Kosovë. Kjo është një arritur e madhe e aleatëve tanë, kuptohet duke e reflektuar realitetin e Kosovës por edhe të Serbisë, por edhe të zhvillimeve globale, si e arritur e tillë është arritje e madhe për Kosovën”, ka thënë Haradinaj për EO.
“Aleanca dhe unë e përkrahim marrëveshjen e njohur si propozimi franko-gjerman, që është një e arritur e madhe e aleatëve tanë, veçanërisht me ndihmën e Amerikës, e me të cilën ne ndahemi nga Serbia. Kritikë kemi pasur dhe kemi për mënyrën sesi është menaxhuar procesi i dialogut nga kryeministri Kurti, ashtu siç kemi kritika edhe për qeverisjen në vend, mirëpo ne e mbështesim planin franko-gjerman, përkrahur prej Amerikës”, ka thënë tutje Haradinaj.
Por, lideri i AAK-së beson se Kosova ka pasur mundësi të marrë më shumë. “Me siguri, ka pasur mundësi tjera, me Qeveri tjetër e kryeministër tjetër, por në rrethanat në të cilën ndodhemi si Kosovë, është një arritje e madhe”, deklaroi Haradinaj.
Në fund, Haradinaj është shprehur i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend.