Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Luginën e Preshevës, Albin Kurtit, ka kritikuar të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Kjo kritikë nga këshilltarja e Kurtit erdhi, pasi, Lajçak u takua më përfaqësuesit e Listës Serbe, por jo edhe me përqafuesit e shqiptarëve në Serbi.
“Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Sipas saj, kjo qasje e Lajçak mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizim.
“Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës. Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane”, ka shtuar Sinani.
Postimi i saj i plotë:
Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.
Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.
Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.
Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.
Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi.
Për t’na dëgjuar. Së paku.