Ekipi futbollistik i FC Llapit ka dalë me komunikatë për media, pas incidentit mes tifozëve pas ndeshjes kundër FC Ballkanit.
Në reagimin e tyre, ata nuk e fajësojnë ekipin kundërshtar e as kryesinë e tyre, duke theksuar se mbajnë raporte shumë të mira me ta.
Fajin, sipas ekipit të Llapit, e kanë “disa tifozë të pandërgjegjshëm”.
“Ne kemi raporte të shkëlqyeshme mes dy kryesive dhe jemi rivalë në fushë, por miq dhe shokë jashtë fushës. Ne edhe pse jemi dëmtuar rëndë si klub, gjithmonë do ta respektojmë kryesinë e FC Ballkanit dhe vëllezërit Kabashi, pasi ata nuk kanë të bëjnë me këto gjëra, por disa tifozë të pandërgjegjshëm shkaktuan këtë dëm të madh dhe të panevojshëm”, thuhet në njoftim.
Ata kanë kërkuar ndihmë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për intervenimin dhe rregullimin e ulëseve të dëmtuara.
Vlera e dëmeve, sipas tyre, kalon shifrën e mbi 10 mijë euro.
“Dëmi i shkaktuar sipas Policëve dhe ekspertëve të dëmit kalon vlerën e 10,000 eurove. Shpresojmë që FFK të na mbështesë dhe ne të intervenojmë menjëherë me rregullimin e ulëseve, sepse për ne si klub është e pamundshme ta shohim ashtu Arenën ‘Zahir Pajaziti’”, thuhet në njoftim.
Në reagim thuhet se presin nga organet e drejtësisë t’ua japin dënimin e merituar dhe “sa më të lartë”, atyre që morën pjesë në dhunë.