Mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:40, policia kufitare në një pikë kontrolli ka ndaluar një automjet transportues me targa të Serbisë, në të cilën, ndodheshin i dyshuari A. S. drejtuesi i mjetit, mashkull shtetas i Serbisë dhe pasagjeri J. A. shtetas i Serbisë.
Gjatë legjitimimit të tyre, policia njofton se është vërtetuar se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë.
Në këtë rast, po ashtu, është realizuar një kontroll te personat e lartcekur, dhe në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90 mijë kokrra vezë, për të cilat, të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse, ka njoftuar policia.
Ndërkaq, lidhur me rastin, vetura është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë Jugore, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.