Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë takimeve të kaluara me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka diskutuar se çfarë mund të bëhet në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Por nëse dikush nuk është i gatshëm as të bisedojë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e Komunave serbe, atëherë kjo nuk ka kuptim”, ka thënë Vuçiq, para takimit me Lajçakun në Beograd.
Ai ka bërë të ditur se në prag të udhëtimit të tij në Ohër, për të takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe Lajçakun, ai do t’i adresohet popullit rreth pozicionit të tij për Kosovën.
“Do ta them si i shoh gjërat dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen. Të mërkurën dhe të enjten, do të flas sa u përket Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq.
Sa i përket pozicionit të Shteteve të Bashkuara se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Vuçiq ka thënë se “nuk mund ta kritikoj dikë para se të bëjë diçka, nuk mund të paragjykoj diçka të keqe”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015, mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.