Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se bashkë me kryetarin e Komunës së Medvegjës, Kadri Rahimaj, kanë vizituar vendkalimin kufitar, Kapia (Porta), e cila është ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Medvegjës.
Kurti ka thënë se më 2 dhjetor 2011 u pat nënshkruar Marrëveshja e Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit e cila vazhdon të mos zbatohet nga Serbia.
“Aty na pritën oficerët e Policisë së Kosovës, Haki Leci dhe Fadil Imeri. Këta evokuan kujtimet kur u vendosën për herë të parë këtu te kufiri pa vendkalim më 16 dhjetor 2016”, ka shkruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjatë asaj kohe, në anën tjetër të kufirit, Serbia refuzon ta ndërtojë kabinën e ngjashme policore për kalim zyrtar të qytetarëve.
“Në mes të rrugës ata kanë vendosur barrikadë me cunga. E, në të dy anët e kufirit është fshati i njëjtë Svircë. Ky kufi pa vendkalim i ndanë edhe anëtarët e të njëjtave familje që detyrohen të udhëtojnë mbi 15 km larg në Mutivodë për të kaluar në anën tjetër”, ka theksuar ai.
Kurti ka potencuar se Kapia “do zbatim, porta duhet të hapet”.