5 muaj pasi ishte suspenduar nga puna, nga kjo e hënë Ylber Topalli edhe është shkarkuar krejtësisht nga pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit në Ministrinë e Drejtësisë.
Verën e vitit të kaluar me vendim të ministres Albulena Haxhiu ishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj Topallit, me pretendimin se kishte kryer shkelje në mënyrën si ishte menaxhuar hetimi i brendshëm për vdekjen e Astrit Deharit në vitin 2016 brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Pezullimi i tij nga puna megjithatë ishte kthyer për rivendosje në Komision nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Në vendimin e Komisionit që është marr me 10 mars por është publikuar sot, thuhet se është arritur në përfundim se Topalli ka kryer shkelje të rëndë disiplinore, bazuar në Ligjin për Zyrtarë Publikë.
Komisioni i vlerëson dy raste të shkeljeve që Topalli i ka kryer – e para se në raportin fillestar të datës 14 nëntor 2016, e kishte cilësuar ‘vetëvrasje’ rastin e Astrit Deharit kurse këtë konstatim e kishte ndryshuar pastaj në raportin e datës 21 nëntor 2016.
“Komisioni konstaton se cilësimet kundërthënëse të raporteve të cekura më lartë kanë shkaktuar pasojë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, familjarët e të ndjerit, të burgosurit dhe gjithë opinionin e gjerë”, thuhet në raport.
Gjithashtu, shkelje tjetër konsiderohet rasti i daljes në publik të video incizimeve nga Qendra e Paraburgimit dhe mënyrës si ato me një USB, Topalli i kishte marr nga Prizreni.
“Komisioni konstaton se z. Topalli, ka marr nga ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, kopje të video incizimeve dhe i ka sjell në zyrén e tij në objektin Ish Rilindja në Prishtinë, gjë që e pranon edhe vet z. Topalli se këto video incizime janë sjell me USB për të përpiluar raportin përfundimtar”, thuhet në vendim.
Me këtë, komisioni konstaton se incizimet janë marr para Policisë dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhëna Personale.
Me të gjitha këto arsye por as me vendimin për shkarkim, thotë të mos jetë informuar gjatë ditës Ylber Topalli.
Ylber Topalli, ishkryeinspektor në Ministrinë e Drejtësisë ka theksuar se“ Unë nga kjo pozitë jam suspenduar tash e pesë muaj, nuk kamë as një thirrje për me dal në komision. Këshilli i Pavarur mbikëqyrës tash e tri javë e ka rikthy lëndën në komisionin disiplinore, duhet të më ftoj dhe duhet të dijë arsyen për çka bëhet fjalë dhe për çka më akuzojnë. Unë kam vërejtjet e mia në këtë komision që e ka hetuar rastin tim. Ata janë inspektor që unë i kom mbikëqyr po ish dashtë që të bëhet një grup tjetër i hetuesve pasi ata nuk janë as adekuat për me hetu rastin tem”.
Për shkarkimin e tij, tashmë është njoftuar edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.
Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari ka theksuar se “ Kemi të bëjmë më dy raporte që sipas Ministrisë ky i ka nënshkruar në vitin 206, ku njërën e ka konsideruar si vetëvrasje ndërsa tjetrën si vdekje. Ylber Topalli në pozitën që e ka pas, kjo nuk i është lejuar konstatimi pasi këto i takojnë vetëm Prokurorisë por jo edhe stafit të burgjeve që të vëjë konstatime juridike të tilla”.
Kryeinspektori Ylber Topalli ka përsëri të drejtë që brenda 30 ditësh të ankohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
\