Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kujtuar dy rastet e para të corona virusit në Kosovë para tre viteve.
“Shumëçka ndodhi në jetët e gjithsecilit përgjatë kësaj kohe. Shumëkush u ndikua në mënyrë dramatike”, ka shkruar ministri Vitia.
“Në sytë dhe mendjet e të gjithëve janë fytyrat dhe emrat e mjekut apo mjekes që u gjend para secilit pacient, në ato çaste të ankthit, pasigurisë dhe vështirësive shëndetësore”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
Ministri Vitia është shprehur falënderues për stafin mjekësor që është kujdesur për qytetarët gjatë asaj periudhe.
“U jemi falenderues përjetë personelit shëndetësorë. I mbrojtën jetët e secilit duke vënë të tyren në dispozicion”, është shprehur ministri Vitia.
Tutja ai ka kujtuar të gjithë mjekët, infermierët, stafin ndihmës shëndetësor që tanimë nuk jetojnë si pasojë e virusit COVID-19.
“Sakrifica e tyre deri në vetëmohim duhet të jetë detyra jonë për t’u angazhuar pa u ndalur për sistemin shëndetësor të vendit tonë”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.