40 ditë paraburgim i janë caktuar të pandehurit me inicialet L.S, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një fëmijë në shtetin e Gjermanisë.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, thuhet se paraburgimi i është caktuar deri në deri në përfundim të procedurës për lejueshmërinë e ekstradimit në shtetin gjerman.
Për të dyshuarin urdhërarrest ka lëshuar edhe organizata ndërkombëtare INTERPOL.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i kërkuari/pandehuri L.S., në territorin e RF të Gjermanisë ka kryer vepër penale, “abuzim seksual i rënduar i një fëmije që përkon me dhunimin” nga neni 176C par.1.177 nënpar. 1.5 dhe 6.52 i Kodit Penal të Gjermanisë, që është e parapare edhe në legjislacionin tonë vepra penale e dhunimit nga neni 227 të KPRK-së”, thuhet në njofti.
“I kërkuari/pandehuri L.S., është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendimin e datës 29.08.2022 të Gjykatës së Heidelbergut të Gjermanisë. I njëjti do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej dyzet (40) ditë, i cili do të llogaritet nga data 13 mars 2023 dhe do të zgjasë deri më 22 prill 2023”, vijon njoftimi.
Sipas njoftimit, gjyqtari Ilir Rashkaj, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore ndaj të pandehurit, dhe se caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës së ekstradimit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ilir Rashkaj, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës së konkretizimit të ekstradimit, gjegjësisht marrjes së vendimit për lejueshmërinë e ekstradimit”, thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.