Digjet shkolla e parë shqipe në Ferizaj, dyshohet nga dora e njeriut

“Në vend se me kalu tjetër kah, kaloj këtu pari veç ta shoh më kujtohet qysh kam kalu këtu”, thotë qytetari Mustafë Hashani.

Nostalgjia e fund viteve të 60-ta, Mustafë Hashanin nuk e lë të shkoj në qendër të Ferizajt pa e parë objektin ku e përfundoi shkollimin e mesëm.

“Në vend se me kalu tjetër kah kaloj këtu pari, më kujtohen ato ditët e rinisë qysh e kam kalu shkollën, me profesora kur nuk e harroj. Kjo (djegia) kur dëgjova shumë shumë mu dhimb, po të kallxoj drejt”, u shpreh ai.

Vizita e tij sot nuk ishte e zakonshme. Objekti që për të e për mijëra nxënës mbanë kujtimet e rinisë, është djegur pothuajse tërësisht. Nga shkolla e parë shqipe në Ferizaj, në këmbë kanë mbetur vetëm muret. Përkundër ndërhyrjes së zjarrfikësve që nga ora 4 e mëngjesit, objekti është dëmtuar rëndë.

“Nuk ka pasur rrymë të instaluar në këtë objekt….Në shumicën e rasteve ky zjarr mund të jetë edhe zjarrvënie sepse ka pasur edhe mbeturina dhe njerëzit lëvizin, edhe njerëzit e natës po e frekuentojnë, ka mundësi edhe prej dorës së njeriut”, deklaroi Zymri Krasniqi, Komandant i Zjarrfikësve

Edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në një përgjigje të shkurt për RTV Dukagjini kanë deklaruar se rasti është në procedurë për veprën penale “Zjarrëvënie”.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj përmes telefonit, ju njoftojmë se rasti në fjalë është në procedurë hetimore nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj në drejtim të veprës penale [Zjarrvënia]”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, nga Policia në Ferizaj përpos që e kanë konfirmuar rastin, nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Për rinovimin e këtij objekti, kontrata është nënshkruar javën e kaluar dhe janë ndarë 450 mijë euro, ndërsa rastis që punimet kanë filluar dje. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku duke pretenduar se objektit i është vënë flaka ‘me metoda e porosi mafioze’, zotohet se nuk heqin dorë nga restaurimi i Gjimnazi të vjetër “Ismail Qemali’.

“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, ka deklaruar Çeku.

Dyshime se ky objekt është djegur me qëllim kanë edhe deputetë nga kjo komunë dhe përfaqësues të Teatrit të qytetit.

“Ndërsa kemi reaguar edhe në kohën sa kemi qenë në asamblenë komunale, gjithashtu gjatë hartimit dhe miratimit të planit zhvillimor komunal për këto objekte që ka pasur synime të qarta rrënimin dhe ndërtimin e ndërtesave të larta”, ka deklaruar deputeti, Enver Haliti.

Drejtori Artistik i Teatrit në Ferizaj, Besim Ugzmajli, u shpreh se disa herë është tentuar të digjet, objekti i gjimnazit të vjetër në Ferizaj.

“Disa herë është provu të djeget ky objekt nga persona ende të paidentifikuar mirëpo pa sukses. Si duket kjo ditë ishte dita me fat e dikujt që prej shumë kohësh ka dashur ta shkatërrojë këtë objekt”, tha ai.

Pas zjarrit që e përfshiu sot, nga Komuna e Ferizajt thonë se për objektin që është në mbrojtje të shtetit si trashëgimi kulturore, do të jenë më të vëmendshëm e sy-qelë.

“Fatkeqësisht në këto situata të vështira që po ndodhet komuna e Ferizajt dhe fatkeqësia tjetër e dytë është me radhë që pikërisht njerëz të cilët i ka votuar qytetari i Ferizajt po tentojnë të hedhin dhe të krijojnë kauza të rrejshme në kuadër të fatkeqësisë që i ka ndodhur Ferizajt”, deklaroi Selim Marevci, Zëdhënës i Komunës

Shkolla fillore ‘Jeronim de Rada’ është shkolla e parë tetëvjeçare në Ferizaj, e formuar në vitin shkollor 1955-56, kurse në bankat e këtyre klasave, për herë të parë shqip u lexua e u mësua në vitin shkollor 1941-42, kur nga gjuha serbo-kroate nisën shkronjat shqip.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika