Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën e 18 marsit do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq.
Më pas, do të zhvillohet një takim i përbashkët.
“Të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.
Kryeministri Kurti, ka thënë të martën se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.
“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.
Ai i është referuar takimit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kur – sipas diplomatëve evropianë – palët kanë arritur pajtueshmëri për propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, por që nuk është nënshkruar asnjë dokument.
Në takimin e Ohrit, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të bllokut evropian, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
Një ditë më parë, Kurti ka thënë se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit.
I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.
Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike, as nga Kosova e as nga Brukseli.