Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, me rastin e dyvjetorit si kreu i kësaj partie është vizituar nga familja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Dy vjet më parë, delegatët e Kuvendit të LDK-së, më dhanë përgjegjësinë dhe njëkohësisht nderin më të madh jetësor, atë të udhëheqjes së formacionit të parë pavarësist e demokratik në Kosovë, shtëpisë së madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.Në këtë përvjetor të dytë, u nderova nga vizita e zonjës Fana Rugova, bashkëshortes së Presidentit Rugova, dhe vajzës së tij Teutës e djalit Ukës. Ishte kjo vizita e parë e zonjës Fana në selinë qendrore të partisë”, ka thënë Abdixhiku.
“Nga zonja Fana pranova dhe një dhuratë tejet të çmueshme e domethënëse për mua; një kristal guri; të njëjtin që Presidenti Rugova e mbante për më të veçantë, atë që e kishte dërguar tek Presidenti Klinton e Papa Gjon Pali i Dytë, si shenjë Kosove. Mes emocionesh e kujtimesh të shumta mbi gjithë historinë e familjes sonë politike, i njoftova për punët tona tani”, ka vijuar ai.
Sipas tij, dy vitet e shkuara shënuan rikthimin e madh të LDK-së.
“E nisëm në një moment të vështirë; dëgjuam, ndryshuam, vepruam mbarë. Qëndruam fort, ecëm drejtë e treguam përgjegjësi për vendin në çdo hap tonin. Mes nevojës së pashmangshme për hapje e reformë, gjetëm dhe unitetin e brendshëm e përfaqësimin e denjë jashtë. Nderuam të shkuarën, por vendosëm të ndërtojmë të ardhmen. Prandaj fituam zgjedhjet lokale; fituam më të rëndësishmen për ne – besimin e qytetarëve tanë”.