Lirohet nga akuza për detyrim kryetari i FFK-së, Agim Ademi

Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Muharrem Rama, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Ademi dhe Rama akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve Ademi dhe Rama, po ashtu mungoi edhe prokurorja Elza Bajrami.

Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që u vihej barrë.

Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo lëndë, fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë eurosh, apo një veturë të tipit “BMW X5”.

Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë eurosh apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burgim efektiv, kurse Rama me një vit burgim efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë kërkesë, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika