“Është kjo qeveri që me veprimin dhe mosveprimin e saj po i inkurajon qytetarët që ta lëshojnë vendin. Është paaftësia qeverisëse ajo që po i thellon krizat”.
Kështu është shprehur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ish-ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, njëherësh edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, mosmiratimi i Ligjit për Paga dhe rritja e pagës minimale në nivel lëmoshe, tregon paaftësinë qeverisëse.
“Është kjo Qeveri e cila ende nuk e ka miratuar Ligjin e Pagave, ndërsa rritjen e pagës minimale e ka rritur deri në nivel lëmoshe. Në paaftësinë qeverisëse vend qendror zë padëgjueshmëria”, ka thënë ai në Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Siç ka theksuar Zemaj, një maji i vitit 2022 ka epilogun e mosrespektimit të theksuar të djersës së punëtorit, mosvlerësimit të punës së tyre, kushte më të vështira e padëgjueshmëri totale qeveritare ndaj zërit dhe të drejtave të tyre.
“Kjo qeveri po ua pamundëson edhe garën e drejtë për punësime e lëre më kushtet e punës. Në konkursin e KEK-ut aplikuan katër mijë e 668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, dhe që të gjithë familjarë të zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje dhe militantë e të afërm të pushtetit”, ka shkruar ai.
Ndryshe, më rastin e kësaj dite, të dielën e një majit është mbajtur një protestë në komunën e Prishtinës, nën thirrjen “Liri, Barazi, Solidaritet”, e organizuar nga blloku antikapitalist i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Ndërkaq, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), me rastin e një majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve, ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me kushtet e punëtorëve në vendin e punës.
Sipas drejtorit të kësaj agjencie, Drin Haraçija, janë rreth 83 mijë punëkërkues aktivë, të cilët pas gjashtë muajve, nëse nuk kërkojnë përsëri punë, kalojnë në listën e punëkërkuesve pasivë.
Ky numër, sipas tij, rezulton si pasojë e mungesës së kushteve primare në punë.
Siç thotë ai, gjithmonë ka vend për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
Sipas tij, veprimi i fundit sa i përket rritjes së pagës minimale, është një ndër faktorët që ndikon në kushtet e punëtorëve, në këto kushte luan rol edhe punëdhënësi.
“Bizneset kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë punë, në mënyrë që t’i kenë punëtorët afër vetës, për shkak se tregu është i hapur dhe mund të ketë lëvizje te bizneset e ndryshme, të cilat ofrojnë sigurime shëndetsore dhe kushte më të mira të punës me paga të dinjitetshme”, ka thënë Haraçija për RTV Dukagjinin.