Vuçiq pas takimit me Escobar: Diskutuam për zgjidhje kompromisi me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është deklaruar për takimin e së mërkurës me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mërkurën në Beograd.

Pas takimit, Vuçiqi ka deklaruar se ka pasur një bisedë “të hapur dhe korrekte” me zyrtarin amerikan dhe se beson në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Një bisedë e hapur dhe korrekte me përfaqësuesin amerikan. Besoj në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiq në Instagram pas takimit.

Kabineti i Vuçiqit ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe “për mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve kompromisi dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Sipas raportimit të mediumit serb N1, Vuçiq “përsëriti qëndrimin e pandryshuar” të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani “dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”.

Po ashtu, ai ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen që i jep dialogut të Brukselit, si dhe për angazhimin kur është fjala për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e Asociacionit.

Pas vizitës në Serbi, Escobar pritet ta vizitojë Kosovën.

Vizita e Escobarit vjen vetëm pak kohë pasi Kosovën dhe Serbinë i vizitoi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, i cili në kuadër të përgatitjeve për takimin e liderëve të të dyja shteteve në Ohër, më 18 mars, është takuar edhe me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiqi do t’u drejtohet qytetarëve nesër, më 16 mars.

Ndërkaq, të shtunën e 18 marsit, në Ohër, do të takohen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut. Ata do të priten nga kryediplomati evropian, Josep Borrell dhe nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak.

Shija e redaktorit

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur...

Të fundit nga rubrika