Gati një vit kohë nuk i kanë mjaftuar Prokurorisë Speciale, që të përgatitet për nisjen e rigjykimit në rastin e njohur si “Veteranët”.
Kështu, me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi, i cili ka kërkuar edhe 60 ditë kohë për tu bërë gati, seanca e planifikuar për të mërkurën ka dështuar.
Me këtë veprim të Prokurorisë, nuk pajtohet avokati Arianit Koci, që përfaqëson të akuzuarin Shkumbin Demalija.
“Në këtë formë po shkelen të drejtat e të mbrojturit tim dhe të akuzuarve të tjerë…Pra, me vite të tëra po bëhet ky gjykim dhe tash prapë i duhet kohë Prokurorisë, pse nuk e ka shfrytëzu këtë kohë para se me e ngritë aktakuzën po tani pasi jemi në procedim. Unë besoj që Prokuroria ka hyrë në mal pa sakicë, pra nuk mundet në këtë mënyrë pretendimet e veta me i vërtetu”, ka thënë ai.
Në këtë rast janë të akuzuar gjithsej 12 persona, që të gjithë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.
Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Sajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, akuzohen se në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat.
Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2021 i liroi që të gjithë nga akuza.
Mirëpo, Apeli e riktheu më pas lëndën në rigjykim.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 88 milionë euro.
Me aktakuzën e Prokurorisë, ishte kërkuar nga Themelorja e Prishtinës që të pezullohej pagesa e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor, megjithatë Gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë. Seanca e radhës është caktuar më 15 qershor.