Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket propozimit evropian.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku.
Ajo ka thënë se një marrëveshje e pranueshme për LDK-në duhet ta ketë njohjen finale në qendër.
“Jo absolutisht dhe nuk duhet të prisni që ndryshon qëndrim Lidhja Demokratike e Kosovës. Ne në parlament si dhe lidershipi ynë, kemi treguar se jemi pro bisedimeve me Serbinë, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe finale”, ka thënë Bunjaku për EO.
“Sa u përket bisedimeve teknike dy dekada më herët edhe qeveritë e kaluara kanë shtjelluar bisedime dhe mund të them që asnjëherë s’kemi ardhur deri tek qëllimi final që të jetë njohja finale në qendër”, ka vijuar ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillojë rundin e ri të bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.
Në këtë takim pritet që palët të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.