Si vazhdimësi e bashkëpunimit strategjik, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të enjten e 16 marsit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, përmes një njoftimi në Facebook, ku thuhet se pas hartimit të dokumentit do të bëhet shpallja e konkursit ndërkombëtar për projektin e memorialit të fëmijëve.
“Ky proces me ndjeshmëri të lartë kërkon një analizë të thellë që rezultati të jetë dinjitoz dhe proporcional me qëllimin”, thuhet në njoftim.
Memoriali është vendim i Qeverisë së Kosovës, përmes të cilit do të nderohet dhe lartësohet kujtimi për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.